Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t kërkon ndryshimin e masës së sigurisë në GJKKO



Ish-zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Hava Delibashi, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj saj. Aktualisht, ajo ndodhet në masën “arrest në shtëpi”.

Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Delibashi është pjesë e të njëjtës dosje hetimore me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, të cilët janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të Strukturës Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Hetimi lidhet me një operacion të SPAK që goditi një grup të dyshuar kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Ndërkohë, masa e “arrestit në shtëpi” për Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi u caktua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 18 dhjetor 2025, pasi Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte kërkuar masat e sigurisë për skandalin e abuzimeve me tenderat në AKSHI.