Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësi i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei “i shpëtoi për një qime vdekjes”


Udhëheqësi i ri suprem i Iranit i mbijetoi sulmit izraelit që vrau babanë e tij sepse doli jashtë kompleksit për një shëtitje në kopsht pak minuta para shpërthimit, sipas një raporti të ri.

Një audio e rrjedhur nga një takim rreth sulmit të 28 shkurtit në kompleksin e Ajatollah Ali Khamenei-t zbuloi se djali i tij, Udhëheqësi i ri suprem Mojtaba Khamenei, ishte me të atin në Teheran kur doli jashtë “për të bërë diçka”, raportoi The Telegraph.

Audioja zbuloi gjithashtu hollsi rrëqethëse rreth sulmit – ku shefi ushtarak i Iranit u bë copë-copë, aq sa e vetmja gjë që mbeti për ta identifikuar ishin “disa kilogramë mish”. Dhëndri i Ajatollah Ali Khamenei-t u gjet gjithashtu me kokën e ndarë në dysh nga goditja.

Sapo Mojtaba u largua nga i ati, raketa balistike izraelite “Blue Sparrow” goditi kompleksin, duke vrarë Khamenei-n dhe dhjetëra oficerë të lartë e anëtarë të familjes – por duke kursyer pasardhësin e tij.

“Vullneti i Zotit ishte që Mojtaba të dilte në oborr për të bërë diçka dhe më pas të kthehej,” thuhet t’u ketë thënë krerëve iranianë Mazaher Hosseini, shefi i protokollit të zyrës së Khamenei-t, në një takim privat më 12 mars.

“Ai ishte jashtë dhe po ngjitej lart kur ata goditën ndërtesën me raketë. Gruaja e tij, zonja Haddad, u martirizua menjëherë,” shtoi Hosseini.

Hosseini pohoi se Mojtaba pësoi vetëm “një lëndim të lehtë në këmbë”, duke u bërë jehonë raporteve të fundit për plagët e Udhëheqësit të ri. Ai gjithashtu njoftoi klerikët e lartë dhe komandantët e Gardës Revolucionare (IRGC) se në sulm u përdorën të paktën tri raketa.

Një nga raketat goditi vendin ku ndodhej Khamenei, ndërsa një tjetër goditi shtëpinë e Mojtaba-s në një kat më lart dhe shtëpinë e kunatit të tij, Misbah al-Huda Bagheri Kani. Raketa ishte aq e fuqishme sa depërtoi në katin e poshtëm në dhomën e Misbah, duke i ndarë kokën në dysh, shkruan NY Post.

Sipas audios, djali i madh i Khamenei-t, Mostafa, mbijetoi “i padëmtuar” bashkë me gruan e tij. Hosseini përmendi gjithashtu gjendjen e tmerrshme të trupit të shefit ushtarak Mohammad Shirazi

“Ai u bë copë-copë, nuk gjetën asgjë prej tij, dhe në fund gjetën disa kile mish dhe e identifikuan si trupin e tij.”

Audioja doli në dritë mes spekulimeve për gjendjen e Mojtaba-s, i cili nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës. Ndërsa thashethemet sugjerojnë se ai është shumë më i lënduar sesa paraqitet, Presidenti Trump spekuloi se Udhëheqësi i ri mund të mos jetë as i gjallë.

“Shumë njerëz thonë se ai është shpërfytyruar keq. Thonë se ka humbur një këmbë dhe është lënduar shumë rëndë. Të tjerë thonë se ka vdekur,” u tha Trump gazetarëve të hënën.

“Nuk e kemi parë fare. Nuk dihet nëse është gjallë apo jo. Askush nuk e ka parë, gjë që është e pazakontë.”