
Shërbimet e Policisë së Shtetit në Maliq kanë arrestuar një 40-vjeçar pasi dyshohet se qëllonte me armë zjarri në fshatin Orman, duke terrorizuar banorët dhe duke rrezikuar jetën e tyre.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan dhe neutralizuan autorin e dyshuar.
Në pranga u vu shtetasi Kristo Agolli, 40 vjeç, banues në Orman të Maliqit, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.
Në vendngjarje u sekuestrua një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti edhe fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë, për veprën penale “moskallëzimi i krimit”, edhe shtetasi grek Dimitrios Pentazidis, 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ndodhej me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi grek kishte shkuar në banesën e Agollit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.