
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një dalje për mediat nga SPAK, ka akuzuar qeverinë për kontroll mbi sistemin e drejtësisë.
Berisha u shpreh se zhvillimet e muajve të fundit tregojnë, sipas tij, ndikimin e kryeministrit Edi Rama mbi gjykatat dhe institucionet e drejtësisë. Ai kritikoi ashpër Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), duke thënë se ato nuk kanë reaguar për të mbrojtur institucionet nga sulmet politike.
Sipas Berishës, drejtuesit e këtyre institucioneve kanë heshtur në momentet që, sipas tij, duhej të mbanin qëndrim publik. Ai shtoi se historia e tyre do të mbetet, sipas tij, “një histori turpi”.
“Kontrolli i gjykatave nga Rama faktohet muajt e fundit. Zyrtarët të themi të vërtetën, nuk duhet të prish gojën time, por meritojnë të quhen llum zyrtar.
Nuk guxojnë të bëjnë dhe një deklaratë të vetme në mbrojtje të institucioneve. Keni parë një deklaratë të KLGJ, ILD, në mbrojtje të sulmeve për hir të Lubisë, që i bëri për vete. Ata nuk shqipëronin dot një fjalë të vetme në mbrojtje të institucioneve.
Nuk thash shoqatat që nuk kanë reaguar. Por nuk janë institucione zyrtare ato. Ato që duhet të flisnin janë institucionet e drejtësisë.
A keni parë vetëposhtërim më të madh të këtyre institucioneve se në këtë rast. Në kulmin e sulmeve nuk flasin asnjë fjalë, Metani, Toska, apo Olsi.
Asnjë prej tyre, janë e keqja banale e vendit dhe kaq mund të themi për ta. Historia e tyre do të arkivohet si një histori turpi, njerëzish pa dinjitet.
Dosja jote nuk mbyllet kurrë as me një lubi, as me disa. Çdo gjë janë për Edi Ramën. Sovrani do të thotë fjalën e tij do të jetë sovirani ai që do t’i tregojë vendin dhe do ta çojë në bankën e të akuzuarit.”, tha ai.