Në luftën mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran po përdoret një teknologji e re ushtarake që mund të ndryshojë mënyrën e mbrojtjes nga dronët.
Bëhet fjalë për sistemin lazer HELIOS, i cili është përdorur për të rrëzuar disa dronë iranianë në ditët e fundit.
HELIOS është një armë lazer me energji të lartë me fuqi rreth 60 kilovat, e projektuar për të neutralizuar dronë, avionë dhe raketa.
Sistemi është zhvilluar nga kompania amerikane e mbrojtjes Lockheed Martin dhe po integrohet në anije të marinës amerikane për të përballuar kërcënimet e reja ajrore.
Sistemi është vendosur në shkatërruesin amerikan USS Preble, i cili ka rrëzuar disa dronë iranianë gjatë operacioneve në rajon.
Sipas raportimeve, kjo është një nga herët e para që arma lazer përdoret në kushte reale lufte kundër dronëve, përcjell Euronews.
Përdorimi i kësaj teknologjie shihet si shumë i rëndësishëm për shkak të diferencës së madhe të kostos mes dronëve dhe sistemeve tradicionale të mbrojtjes. Irani përdor dronë relativisht të lirë si Shahed 136, të cilët kushtojnë rreth 20 mijë deri në 50 mijë dollarë.
Ndërkohë, për t’i rrëzuar ata zakonisht përdoren sisteme shumë më të shtrenjta si Patriot missile system ose THAAD, ku çdo raketë mund të kushtojë nga disa milionë deri në rreth 10 milionë dollarë.
Në këtë kuptim, lazeri HELIOS e ul ndjeshëm koston e mbrojtjes, pasi përdor energji elektrike për të goditur objektivin dhe rrëzimi i një droni mund të kushtojë vetëm disa cent. Sistemi mund të përdoret me intensitet më të ulët për të çorientuar sensorët dhe sistemin e navigimit të dronit, ose me intensitet më të lartë për ta mbinxehur dhe shkatërruar atë.
Përveç rolit si armë, HELIOS shërben edhe për zbulim dhe mbikëqyrje. Ai përfshin kamera me rezolucion shumë të lartë, vizion nate dhe sensorë termikë që mund të identifikojnë dhe ndjekin objektiva deri në rreth 8 kilometra largësi.
Megjithatë, sistemi ka edhe kufizime. Efektiviteti i lazerit mund të reduktohet nga kushtet atmosferike si shiu, mjegulla, retë, tymi apo pluhuri, të cilat mund të shpërndajnë rrezen dhe të dobësojnë fuqinë e saj.
Megjithatë, ekspertët e mbrojtjes besojnë se armë të tilla lazer përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e luftës moderne kundër dronëve dhe kërcënimeve ajrore me kosto të ulët.
