Vendosni fjalën kyçe....

BE: Lëvizja e SHBA-së për të lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse, “precedent i rrezikshëm”


Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas paralajmëroi se lëvizja e Washingtonit për të lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse krijon “precedent të rrezikshëm”, raporton Anadolu.

“Ne e shohim lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse nga SHBA-ja si precedent të rrezikshëm, sepse tani kemi nevojë që ata të kenë më pak para për të zhvilluar luftën“, u tha Kallas gazetarëve përpara mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel.

Ajo theksoi se vëmendja ndaj Lindjes së Mesme nuk duhet të largojë fokusin nga Ukraina.

“Kam zhvilluar bisedime me (sekretarin e përgjithshëm të OKB-së) Antonio Guterres nëse është e mundur të kemi një iniciativë të ngjashme me atë që kishim me iniciativën e Detit të Zi, për të nxjerrë drithërat nga Ukraina, sepse mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është shumë e rrezikshme për furnizimet me naftë dhe energji”, tha Kallas.

Ajo shtoi se do të diskutojnë me shtetet anëtare nëse është e mundur të ndryshohet mandati i misionit detar të bllokut, Aspides.

“Çështja është nëse shtetet anëtare janë të gatshme ta përdorin realisht këtë mision”, theksoi më Kallas.

Komentet e saj erdhën pasi autoritetet amerikane të enjten thuhet se autorizuan përkohësisht blerjen e naftës ruse që ka mbetur në det, në përpjekje për të stabilizuar tregjet globale të energjisë.

Irani ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit që nga 1 marsi, pas nisjes së sulmeve të përbashkëta nga Izraeli dhe SHBA-ja kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat deri më tani kanë vrarë rreth 1.300 njerëz, përfshirë edhe udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Që atëherë armiqësitë janë përshkallëzuar.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile.

Para fillimit të luftës, rreth 20 milionë fuçi naftë kalonin çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit. Ndërprerja e saj ka rritur çmimet e naftës.