
Një aksident rrugor u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku një çiklist mbeti i plagosur pas përplasjes me një automjet.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, specialistët e Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 35 vjeç, banues në Elbasan. Ai dyshohet se, ndërsa drejtonte automjetin e tij në Bulevardin Aqif Pasha, ka aksidentuar shtetasin D. K., 32 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, çiklisti u dërgua për ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia bëri me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.