Vendosni fjalën kyçe....

META planifikon pushime të shumta nga puna


Meta po planifikon pushime të gjera nga puna që mund të prekin 20% ose më shumë të kompanisë, bënë të ditur tre burime të njohura me çështjen për Reuters.

Kjo lëvizje vjen ndërsa Meta kërkon të kompensojë bastet e kushtueshme në infrastrukturën e Inteligjencës Artificiale dhe të përgatitet për një efikasitet më të lartë të mundësuar nga punonjësit e ndihmuar prej IA-së.

Sipas burimeve, ende nuk është caktuar një datë për shkurtimet dhe madhësia e tyre nuk është finalizuar. Ekzekutivët e lartë u kanë sinjalizuar planet drejtuesve të tjerë të lartë në Meta, duke i udhëzuar të nisin planifikimin për shkurtime.

Zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, u përgjigj duke thënë se ky është “një raportim spekulativ mbi qasje teorike”.

Shifrat dhe historiku

Nëse Meta vendos të shkarkojë 20% të punonjësve, këto do jenë pushimet më domethënëse të kompanisë që nga ristrukturimi i fundit i vitit 2022-2023, të cilin ajo e quajti “viti i efikasitetit”. Sipas raporteve të fundit, kompania punësonte rreth 79,000 njerëz deri më 31 dhjetor.

Nw nëntor 2022 u pushuan 11,000 punonjës (rreth 13% e fuqisë punëtore) ndërsa në mars 2023 u njoftua shkurtimi i 10,000 vendeve të tjera të punës.

Zuckerberg përqendrohet te Inteligjenca Artificiale Gjeneruese
Gjatë vitit të kaluar, kreu Mark Zuckerberg e ka shtyrë kompaninë të konkurrojë me forcë në fushën e IA-së gjeneruese. Meta ka ofruar paketa pagash marramendëse, disa prej tyre me vlerë qindra miliona dollarë, për të joshur kërkuesit kryesorë të IA-së në një ekip të ri të “superinteligjencës”.

Kompania ka deklaruar se planifikon të investojë 600 miliardë dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave deri në vitin 2028. Zuckerberg ka aluduar se këto investime rritin efikasitetin, duke u shprehur se projekte që dikur kërkonin ekipe të mëdha, tani mund të realizohen nga një person i vetëm shumë i talentuar.

Planet e Meta-s vijnë pas një sërë pengesash me modelet e saj Llama 4 vitin e kaluar. Kompania braktisi publikimin e versionit më të madh të atij modeli, të quajtur Behemoth. Ekipi i superinteligjencës po punon tani për një model të ri të quajtur Avocado, por paraqitja e tij raportohet se ka mbetur pas pritshmërive.