Vendosni fjalën kyçe....

Ardit Çylybyli dhe Oligert Muçllari zgjidhen kryetarë të rinj të degëve të PD në Shkodër dhe Pogradec



Ardit Çylybyli është zgjedhur kryetari i ri i degës së Partisë Demokratike në Shkodër, duke fituar garën përballë kandidatit Gentian Ibro.

Sipas rezultateve paraprake, në procesin e votimit morën pjesë 1,781 anëtarë. Çylybyli ka siguruar rreth 1,060 vota, ndërsa Gentian Ibro rreth 700 vota, me një diferencë prej afro 700 votash, ndërsa numërimi zyrtar ende nuk ka përfunduar.

Pas përfundimit të votimit, dy kandidatët u përshëndetën me njëri-tjetrin, duke shtrënguar duart dhe duke uruar sukses në vijim. Ata dërguan gjithashtu një mesazh bashkimi për strukturat dhe anëtarësinë e partisë në Shkodër.

Pogradec, procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike ka përfunduar me fitoren e Oligert Muçllarit.

Sipas të dhënave zyrtare, në votim morën pjesë 476 anëtarë. Gara u zhvillua mes Kasëm Gallës, i cili kishte drejtuar degën e PD-së në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe njihet si biznesmen, dhe Oligert Muçllarit, drejtues i komanduar i degës dhe me profesion ekonomist.

Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe u zhvillua në një atmosferë të qetë. Nga numërimi i votave rezultoi se Oligert Muçllari ka marrë 247 vota, ndërsa Kasëm Galla 224 vota. Janë regjistruar edhe 6 vota të pavlefshme.

Me këtë rezultat, Oligert Muçllari shpallet fitues dhe do të drejtojë degën e Partisë Demokratike në Pogradec.