
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbledhur ministrat e kabinetit të tij për një takim dyditor me qëllim hartimin e programit qeverisës.
Kurti tha se në zgjedhjet e dhjetorit 2025 qytetarët i dhanë qeverisë së tij një besim të madh, duke theksuar se zotimet e fushatës dhe prezantimi para deputetëve do të shndërrohen në një program konkret qeverisës për të garantuar siguri dhe begati për qytetarët e Kosova.
“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen. Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës”, ka bërë të ditur kryeministri.
Ai thotë se synimi i tyre në qeverisje është interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror.
“Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati. Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë” , ka shkruar kryeqeveritari.