Vendosni fjalën kyçe....

SHBA ofron 10 milionë dollarë për informacion mbi udhëheqësit iranianë


Qeveria e SHBA-së po ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi udhëheqësit kryesorë iranianë, përfshirë Udhëheqësin e ri Suprem, Mojtaba Khamenei.

Shpërblimi, i publikuar nga Programi i Departamentit të Shtetit “Shpërblime për Drejtësi” (Rewards for Justice), vjen ndërkohë që fushata ushtarake e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit vazhdon dhe pasi Ayatollah Ali Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë u vranë.

Njoftimi specifikonte se po kërkohet informacion veçanërisht për Khamenei-n, zëvendësshefin e tij të stafit Ali Asghar Hejazi, këshilltarin e tij ushtarak Gjeneral Major Yahya Rahim Safavi, këshilltarin e tij Ali Larijani, Ministrin e Brendshëm Gjeneral Brigade Eskandar Momeni dhe Ministrin e Inteligjencës dhe Sigurisë, Esmail Khatib, shkruan CNN.

Ata po kërkojnë gjithashtu informacion për katër zyrtarë të paemëruar dhe pa foto të IRGC-së (Garda Revolucionare e Iranit) – Sekretarin e Këshillit të Mbrojtjes, Këshilltarin e Udhëheqësit Suprem, Shefin e Zyrës Ushtarake në Zyrën e Udhëheqësit Suprem dhe Komandantin e IRGC-së.

“Këta individë komandojnë dhe drejtojnë elementë të ndryshëm të IRGC-së, e cila planifikon, organizon dhe ekzekuton terrorizëm në mbarë botën,” thuhej në njoftim.

“Që nga themelimi i saj në vitin 1979, IRGC ka marrë një rol substancial në ekzekutimin e politikës së jashtme të Iranit. Grupi tani ushtron kontroll mbi segmente të gjerë të ekonomisë së Iranit dhe është me ndikim në politikën e brendshme iraniane.”

Në një njoftim të ngjashëm për shpërblim të postuar në X, departamenti shton se informacioni mbi udhëheqësit mund ta bëjë informatorin “të kualifikueshëm për rilocim (zhvendosje jashtë vendit)”, përveç shpërblimit monetar.