Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria prezanton 83 projekte në panairin global në Kanë, Gonxhja: Synojmë investime dhe turizëm cilësor


Shqipëria po prezanton 83 projekte strategjike për investime në panairin ndërkombëtar të pasurive të paluajtshme MIPIM 2026, që po mbahet në Kanë të Francës.

Delegacioni shqiptar drejtohet nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Projektet që prezantohen lidhen kryesisht me zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe territorit.

Duke postuar pamje nga panairi në rrjete sociale, Gonxhja tha se pjesëmarrja në këtë platformë është një mundësi për të hapur më shumë dialog me investitorë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Në MIPIM 2026 në Cannes, Francë, po prezantojmë Shqipërinë në një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin dhe investimet në pasuri të paluajtshme, me një portofol prej 83 projektesh strategjike që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe territorit. Përmes pavijonit tonë të quajtur “Soundscapes of Albania”, kuruar nga AZHT dhe AKPT, po ndajmë me partnerë dhe investitorë ndërkombëtarë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të vendit tonë dhe vizionin tonë për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për turizmin dhe investimet ndërkombëtare. Kontribuojmë për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me partnerë e investitorë francezë por edhe globalë, që ndajnë vizionin tonë për zhvillim afatgjatë, ekonomik dhe kulturor” tha Gonxhja.

MIPIM është një nga ngjarjet më të mëdha globale në fushën e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimit urban. Çdo vit ai mbledh mijëra profesionistë dhe investitorë nga e gjithë bota për të prezantuar projekte dhe për të krijuar bashkëpunime të reja.