Vendosni fjalën kyçe....

Muaji i shenjtë i Ramazanit, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij shtrojnë iftar për besimtarët


Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, kanë shtruar Iftar për besimtarët, në muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Në Iftar ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, lideri shpirtëror i Bektashinjve, Baba Mondi, ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë në Tiranë, artisti Laert Vasili, si dhe shumë figura të Partisë Socialiste si Toni Gogu, Erion Braçe, Sara Mila, Ervin Demo, Ulsi Manja, Igli Hasani, etj.

“Të dashur miq dhe të ftuar. Agjërues, besimtarë dhe jo-besimtarë. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në sofrën tradicionale të Iftarit, që sëbashku me Lindën e shtrojmë me kënaqësi në nderim të vlerave dhe traditës së ripërtërirë të muajit të Shenjtë të Ramazanit. Sofra e Iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie edhe mik. E di që mbledh apo mblidhesh, por është diçka sipërane që bashkon, Zoti, Allahu, universi.

Rreth kësaj sofre, ligji i padukshëm që jeton brenda çdo qenie njerëzore, ligji që na thotë se tjetri nuk është një i huaj, por një fqinj, një bashkëudhëtar, një grimcë e ngjashme përkohësie në të njëjtin qiell, merr në zotërim territore të caktuara të mendjes dhe të shpirtit. Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetëvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vet të parë, shpellarit që ka brenda vetes. Ai çast bëhet dinjiteti kur buka ndahet mes të tëra duarve”, tha mes të tjerash Rama.