
Enti Rregullator i Energjisë ka llogaritur se për vitin 2026 subjektet e tregut të energjisë në të gjitha hallkat duhet t’i paguajnë një total prej 400 mln lekësh, apo rreth 4 milionë euro, si pagesë rregullatore.
Ky institucion publikoi listën me detyrimin për çdo subjekt, i cili është përcaktuar në bazë të qarkullimit që ata kanë pasur në vitin paraardhës, sipas formulës së miratuar në kuadrin ligjor.
Enti nënvizon se diferencat që rezultojnë nga pasqyrat financiare të audituara për vitin 2025 do të konsiderohen në llogaritjen e pagesave rregullatore të periudhës pasardhëse.
Të licencuarit subjekt i këtij vendimi duhet të kryejnë pagesat rregullatore ndaj ERE-s jo më vonë se 30 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare i këtij vendimi. Në të kundërt, ata do të jenë subjekt i aplikimit të masave administrative të parashikuara në kuadrin ligjor për energjinë dhe gazin, shkruan Monitor.
Specifikisht, në parashtrimin e vendimit ERE nënvizon se për një numër subjektesh të licencuara, pagesa rregullatore për vitin 2026 nuk është aplikuar (është pezulluar), për shkak se këto subjekte janë licencuar me kusht operimi ose rezultojnë me status “pezulluar”, apo janë në proces likuidimi, duke e bërë objektivisht të pamundur ushtrimin e veprimtarisë së licencuar dhe/ose vjeljen e pagesës. Në rast të ndryshimit të rrethanave, trajtimi i tyre do të rishikohet.
Për të licencuarit që nuk kanë zhvilluar aktivitet ose që nuk e kanë filluar aktivitetin për të cilin janë licencuar, pagesa rregullatore është llogaritur në shumën fikse prej 100 mijë lekësh, në zbatim të pikave 5.2 dhe 6.3 të rregullores. E njëjta shumë fikse është zbatuar edhe për shoqëritë që kanë më shumë se një licencë dhe nuk kanë paraqitur pasqyrat financiare të ndara sipas aktiviteteve të licencuara.
Në rastet kur llogaritë janë paraqitur të konsoliduara, vetëm njërit prej aktiviteteve i është llogaritur pagesa rregullatore nëpërmjet peshës specifike, ndërsa për aktivitetet e tjera është zbatuar tarifa fikse prej 100 mijë lekë.