Kuvendi i Shqipërisë njofton se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, u konstatua një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve u vu re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Sipas vlerësimit teknik paraprak, mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili synonte fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.
Megjithatë, infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet e tjera funksionojnë normalisht.
Menjëherë pas incidentit, u morën masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira.
Për situatën është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po analizon incidentin, identifikon burimin e sulmit dhe rikthen të dhënat e prekura.
Kuvendi bashkëpunon ngushtë me Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, është mbledhur me urgjencë Këshilli i Sigurisë dhe po ofrohet mbështetje teknike nga partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, grupi aktivist Homeland Justice ka pretenduar në një postim në Telegram se ka sulmuar postën elektronike të Kuvendit dhe posedon bisedat dhe korrespondencën e deputetëve shqiptarë gjatë muajve të fundit.
Sipas grupit, “Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më pranë jush sesa mendoni. A i strehuat vërtet ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që kjo turp të mbetet me ju përgjithmonë”, duke lënë të nënkuptuar se kanë në dorë materiale të rëndësishme.
