Ndërsa konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdon, shumë shtetas amerikanë kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme, duke detyruar autoritetet dhe kompanitë private të organizojnë operacione evakuimi, përcjell Fox News.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur një task-forcë që funksionon 24 orë në ditë për të ndihmuar në largimin e amerikanëve nga zonat e rrezikut. Paralelisht, edhe kompania private e sigurisë Global Guardian po punon vazhdimisht për të organizuar evakuime emergjente.
Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Dale Robert Buckner, deri të premten janë evakuuar më shumë se 4 mijë persona nga rajoni i Lindjes së Mesme. Kompania ka personel në mbi 140 vende të botës dhe kryen misione të ndryshme sigurie, përfshirë evakuime mjekësore, mbrojtje personale dhe operacione emergjente.
Pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit javën e kaluar, kompania ka koordinuar disa operacione evakuimi. Një nga rastet e fundit përfshinte dy studente amerikane që studionin jashtë vendit dhe kërkonin të largoheshin nga Dubai.
Sipas zëvendëspresidentit të operacioneve, Colin O’Brien, brenda rreth katër orësh nga telefonata e tyre, ekipet u nisën për t’i marrë dhe i transportuan drejt kufirit me Omanin. Pas rreth tetë orësh udhëtim, ato u vendosën në një hotel në Muscat, ku u organizua më pas kthimi i tyre në SHBA.
Shumica e evakuimeve në rajon po realizohen me transport tokësor, duke kaluar nga Dubai drejt Omanit, ose nga Izraeli drejt Omanit, Jordanisë apo Egjiptit.
Kompania ofron gjithashtu një program anëtarësimi për familjet dhe kompanitë që duan shërbime emergjente sigurie dhe evakuimi, me një kosto rreth 15 mijë dollarë në vit për një familje me pesë persona.
Sipas drejtuesve të saj, operacionet e evakuimit po vazhdojnë ndërsa situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar.
