Vendosni fjalën kyçe....

Macron viziton Qipron mes rritjes së pranisë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor



Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të vizitojë Qipron vetëm pak ditë pasi Franca dërgoi një anije luftarake pranë ishullit në Mesdheun Lindor, përcjell DW.

Frigata franceze “Languedoc” është dislokuar në ujërat pranë Qipros me synimin për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në rajon. Gjithashtu, në ditët në vijim pritet të mbërrijë edhe aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle”.

Ky zhvillim vjen pasi një dron tip Shahed goditi javën e kaluar një bazë ajrore britanike në ishull. Sulmi shkaktoi dëme të vogla në një hangar në bazën RAF Akrotiri, në bregun jugor të Qipros, ndërsa nuk pati të lënduar.

Pas incidentit, avionë luftarakë britanikë Typhoon dhe F-35 u ngritën nga baza dhe arritën të interceptonin dy dronë të tjerë.

Gjatë vizitës së tij, Macron pritet të takohet me presidentin e Qipros Nikos Christodoulides dhe kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis në bazën kryesore ajrore të ishullit.

Sipas një deklarate nga zyra e presidentit francez, qëllimi i takimit është forcimi i sigurisë rreth Qipros dhe në të gjithë rajonin e Mesdheut Lindor në bashkëpunim me partnerët europianë.