
Kryedemokrati Berisha njoftoi protestën e radhës më 12 mars në orën 10 të paradites.
Para dhjetëra të mbledhurve para kryeministrisë në foltoren e përjavshme, ai tha se Rama po mbron veten e tij me mbrojtjen që po i bën Ballukut duke qenë se pas aferave qëndron ai.
Berisha shtoi se kur shkelet Kushtetuta, nuk ka më shtet por një bandë që vepron si parashtet. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në shesh kundër narkoqeverisë.
“Secili prej jush e ka të qartë se kreu i regjimit po përdor mazhorancën e krimit, po përdor mandatet e krimit si parzmore për të mbrojtur veten e tij nga vjedhjet që u ka bërë qytetarëve. Asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet sepse ju më mirë se të gjithë të tjerët, e keni të qartë se me këto akte, kreu i organizatës kriminale, Edi Rama po mbyll dyert e Europës për shqiptarët, po shkatërron ëndrrën më të bukur që nga Rilindja kombëtare gjer sot të kombit tonë, ëndrrën europianë. Asnjë prej jush nuk mund të pretendojë se nuk e kupton se kur shkelet Kushtetuta, kur drejtësia asgjësohet, nuk ka më shtet, por ka një bandë, ka një parashtet. Nuk ka më ecje përpara, por ka kthim në të shkuarën. Ndaj dhe kudo që jeni, në orët e mësimit, tek shtrati i të sëmurit, në zyra, në ndërmarrje, në fabrika dhe në çdo vend, ju duhet të bëheni dalëzotësit e vendit tuaj. Dhe mos harroni se heshtja juaj është mbështetje e fuqishme, është mbështetja më e fuqishme për kreun e organizatës kriminale që të vazhdojë rrënimin e shkollave tona, rrënimin e arsimit tonë, shkollimit të fëmijëve tanë. Që të vazhdojë spastrimin etnik tuajin, të intelektualëve. Që të vazhdojë rrënimin e spitaleve tona, shkatërrimin e sistemit të shëndetësisë. Mos harroni se qëndrimi në pushtet ndihmohet më shumë se çdo gjë tjetër nga heshtja juaj. Ndaj dhe dilni në shesh.” – tha Berisha.