Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: I korruptuari mbron të korruptuarit! Më në fund, zyrtarisht peng



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi shumica socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.

Në reagimin e tij, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë dhe po mbron korrupsionin në qeveri. Sipas tij, vendimi i shumicës në Kuvend për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Ballukut tregon se Rama është “peng” i saj.

“Vendimi i ‘Gjykatës Supreme të Republikës – PS’ për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se SPAK ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro dhe për presion ndaj dëshmitarëve, duke theksuar se në një demokraci normale parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë.

Sipas Bardhit, vendimi i shumicës është gjithashtu një test për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian, pasi – sipas tij – integrimi europian kërkon luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta.

Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 12 mars para Parlamentit.