Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi u kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.
Të arrestuarit janë identifikuar si Hysni Stërmungu, Helidon Dhima dhe Hassan Mobin.
Sipas njoftimit të policisë, bëhet me dije se të arrestuarit iu kishin premtuar transportimin me destinacion final shtetin italian.
Automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Tiranë goditën një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasit:
- S., 28 vjeç, H. Dh., 43 vjeç dhe H. M., 28 vjeç.
Shtetasit H. S. dhe H. Dh. janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, te rrethrrotullimi i Rinasit, duke transportuar me një automjet 5 emigrantë, të cilëve, kundrejt pagesës 2500 euro secilit, iu kishin premtuar transportimin me destinacion final shtetin italian.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se shtetasi H. M. merrej me organizimin dhe grumbullimin e emigrantëve.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
