Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim pranë ambasadës së SHBA në Oslo, policia norvegjeze nis hetimet


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Oslo është goditur nga një shpërthim në orët e para të mëngjesit, njoftoi policia norvegjeze.

Sipas autoriteteve, një numër i madh forcash policie dhe emergjencash u dërguan në zonë rreth orës 01:00 sipas orës lokale.

Në një deklaratë, policia tha se është në kontakt me stafin e ambasadës dhe se nuk janë raportuar të lënduar.

“Policia është në dialog me ambasadën dhe nuk ka raportime për persona të plagosur,” thuhet në njoftim.

Autoritetet shtuan se aktualisht nuk ka ende informacion të qartë për natyrën e shpërthimit apo për personat që mund të jenë të përfshirë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Sipas raportimeve të mediave lokale, ndërtesa e ambasadës amerikane ka pësuar dëme të vogla materiale, ndërsa punonjësit amerikanë të misionit diplomatik nuk kanë komentuar ende për incidentin, përcjell BBC.

Michael Dellemyr, i cili po drejton operacionin policor, tha për transmetuesin publik norvegjez NRK se shpërthimi ndodhi pranë hyrjes publike të ndërtesës.

Ambasada e SHBA ndodhet në zonën Morgedalsvegen, rreth 7 kilometra larg qendrës së qytetit të Oslo.