
Punonjësit e ndihmës nxorën trupa nga ujërat e përmbytjeve në të gjithë Nairobin të shtunën, pasi përmbytjet e rrufeshme që filluan gjatë natës vranë të paktën 23 persona, morën përpara dhjetëra makina dhe ndërprenë fluturimet në aeroportin më të madh të Afrikës Lindore, njoftuan autoritetet.
Presidenti i Kenias, William Ruto, tha se ka dislokuar një ekip të reagimit emergjent, duke përfshirë ushtarë, për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit, ndërsa u shprehu ngushëllime komuniteteve të prekura, shkruan Reuters.
“Kam urdhëruar gjithashtu që ushqimet e ndihmës nga rezervat tona kombëtare strategjike të lëshohen menjëherë dhe t’u shpërndahen familjeve të prekura nga përmbytjet,” tha ai në një deklaratë në rrjetet sociale.

Në lagjen industriale të Groganit, roja i sigurisë John Lomayan, 34 vjeç, shikonte trupin e një moshuari që ai e njihte — një shitës vezësh në anë të rrugës — i bllokuar nën një makinë që ishte marrë përpara kur lumi Nairobi doli nga shtrati.
“E pashë duke u marrë nga uji që atje lart,” tha ai, duke bërë shenjë nga rruga. “Nuk e dinim se ku kishte shkuar. Vetëm tani po e shohim nën makinë.”
Kenya Airways njoftoi se reshjet kishin ndërprerë fluturimet drejt Nairobisë dhe i kishin detyruar disa avionë të devijonin drejt qytetit bregdetar të Mombasës.
Disa nga të vdekurit ishin goditur nga korrenti prej linjave elektrike të dëmtuara. Ofruesi kombëtar Kenya Power tha veçmas se ujërat kishin dëmtuar pajisjet në një nënstacion, duke listuar 14 lagje që ishin prekur.