Vendosni fjalën kyçe....

Chelsea dhe Manchester City në çerekfinale të FA Cup


Kompeticioni më i vjetër për klube në botë, FA Cup, po zhvillon sezonin e tij të 145-të dhe faza e 1/8-ave ka prodhuar ndeshje dramatike. Chelsea FC, Arsenal FC dhe Manchester City FC kanë siguruar një vend në çerekfinale, por me shumë vështirësi.

Në stadiumin “Racecourse Ground”, Wrexham AFC i bëri një rezistencë të fortë Chelseat. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 18-të me Samuel Smith, ndërsa një autogol i Okonkuo barazoi shifrat në 1-1 në pjesën e parë.

Wrexham gjeti sërish golin me Callum Doyle, por Chelsea barazoi 2-2 tetë minuta para fundit me Josh Acheampong, duke e çuar ndeshjen në shtesë.

Në kohën shtesë, pasi vendasit mbetën me një lojtar më pak, londinezët shënuan dy herë me Alejandro Garnacho dhe Joao Pedro për rezultatin përfundimtar 2-4, duke siguruar kualifikimin.

Në ndeshjen tjetër, në “St. James’ Park”, Newcastle United FC u mposht 1-3 nga Manchester City. Barnes kaloi në avantazh vendasit pas asistit të Tonalit, por Savinho barazoi për Cityn në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, Omar Marmoush shënoi dy herë për të përmbysur rezultatin dhe për të vulosur kualifikimin e “qytetarëve”.

Ndërkohë, edhe Arsenal ka siguruar biletën për në çerekfinale pas fitores së vështirë 1-2 në transfertë ndaj Mansfield Town FC.

Tashmë priten edhe katër ndeshjet e tjera të fazës së 1/8-ave për të plotësuar listën e tetë skuadrave që do të marrin pjesë në shortin e çerekfinaleve të FA Cup.