Vendosni fjalën kyçe....

Agjencia amerikane do ngrejë fond risigurimi prej 20 miliardë dollarësh për transportin detar në Gjirin Persik


Korporata Amerikane për Financimin e Zhvillimit (DFC) po krijon një mekanizëm risigurimi prej 20 miliardë dollarësh për të rinisur tregtinë detare të mallrave dhe naftës, e cila është bllokuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

Drejtori ekzekutiv i DFC-së, Ben Black, dhe Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, prezantuan të premten këtë plan, i cili pason një urdhër të Presidentit Donald Trump për të krijuar një mekanizëm të sigurimit të rrezikut politik dhe sigurisë financiare për të garantuar rrjedhën e lirë të energjisë. Trump tha se Marina e SHBA-së do të shoqërojë anijet cisternë (tankerët) përmes Ngushticës nëse është e nevojshme.

Black tha se ky fond, i cili fillimisht do të ofrojë mbulim deri në 20 miliardë dollarë mbi baza rrotulluese, do të “rikthejë besimin në tregtinë detare dhe do të stabilizojë tregjet ndërkombëtare”.

Bashkëpunimi me ushtrinë

DFC, dega e investimeve ndërkombëtare e qeverisë amerikane, do të koordinohet ngushtë me Komandën Qendrore (CENTCOM), e cila drejton operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

“Duke punuar krahas Centcom, mbulimi i DFC-së do të ofrojë një nivel sigurie që asnjë policë tjetër nuk mund ta ofrojë,” tha Black. “Jemi besimplotë se plani ynë i risigurimit do të bëjë që nafta, benzina, gazi natyror i lëngshëm (LNG), karburanti për avionë dhe plehrat kimike të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe të rrjedhin sërish drejt botës.”

Transporti përmes Ngushticës është efektivisht i bllokuar nga lufta me Iranin, pasi Teherani kërcënon të godasë çdo anije që përshkon këtë rrugë ujore. Rreth 500 anije cisterne ishin të bllokuara në Gji dhe ujërat përreth deri të enjten, sipas Lloyd’s Market Association. Më pak se 50 anije kanë kaluar përmes ngushticës këtë javë.

Ndikimi te çmimet e karburantit

Rinisja e trafikut përmes ngushticës, ku kalon rreth një e pesta e furnizimit global të naftës, është bërë një prioritet për Trump, ndërsa ai kërkon të ndalojë rritjen e çmimeve të benzinës, e cila po dëmton politikisht përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit. Votuesit janë të frustruar nga inflacioni i vazhdueshëm që ka shkaktuar një krizë të kostos së jetesës. Çmimi mesatar i benzinës është tani 3.32 dollarë për gallon, niveli i tij më i lartë që nga mesi i vitit 2024.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit mbi 92 dollarë për fuçi të premten, niveli më i lartë që nga fillimi i luftës.

Sfidat dhe siguria

Plani i DFC-së vjen pasi specialistët e sigurimeve dhe energjisë shprehën skepticizëm këtë javë rreth kapacitetit për të siguruar rrezikun e madh që përfshin kalimi i anijeve përmes Gjirit.

JPMorgan tha se DFC kishte akses në vetëm 154 miliardë dollarë nga 352 miliardë dollarët e nevojshëm për të siguruar plotësisht 329 anijet e naftës në rajon. Megjithatë, zyrtarët e DFC-së e kundërshtuan këtë vlerësim, duke thënë se agjencia do të fokusohet vetëm në mbulimin e mjeteve (trupi i anijes), makinerive dhe ngarkesës.

Operacioni i shoqërimit nga Marina do të kërkonte shkatërrues (destroyers) dhe avionë që fluturojnë mbi anije. Edhe me sigurimin e rrezikut dhe shoqërimin ushtarak, cisternat do të mbeteshin të prekshme ndaj sulmeve nga forcat iraniane, të cilat mund të përdorin varka të shpejta të armatosura me raketa, dronë dhe mina, shkruan FT.

Gjatë të ashtuquajturës “lufta e cisternave” në vitet 1980, anijet kuvajtiiane u regjistruan nën flamurin amerikan dhe më shumë se 30 shkatërrues të SHBA-së shoqëruan mjetet lundruese jashtë ngushticës.