Vendosni fjalën kyçe....

Vengu: Kalimin tim me kohë të plotë si deputet i Vlorës, nuk e përjetoj si largim nga misioni i sigurisë kombëtare


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka zhvilluar ceremoninë e kalimit të detyrës te pasardhësi i tij, Ermal Nufi. Në fjalën e tij, Vengu theksoi se kalimi i tij në detyrën e deputetit të qarkut të Vlorës nuk e  përjeton si largim nga misioni i sigurisë kombëtare.

Ai u shpreh se siguria e Shqipërisë mbrohet jo vetëm në terren, por edhe në tryeza diplomatike dhe politike, përmes bashkëpunimit me aleatët dhe institucioneve të shtetit.

Vengu falënderoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe theksoi se fryma e Ministrisë së Mbrojtjes do ta shoqërojë edhe në detyrën e re.

“Ta dini se kalimi im me kohë të plotë si deputet i Vlorës, nuk e përjetoj si largim nga misioni i sigurisë kombëtare, përkundrazi, siguria e Shqipërisë sot mbrohet si në terren, ashtu edhe në tryeza të tjera diplomatike e politike, si me uniformë, ashtu edhe në aleanca të qëndrueshme.

Në detyrën e re plot mirënjohje për mbështetjen nga kryeministri Rama, do ta mbaj gjithmonë me vete frymën e kësaj ministrie, qartësi në qëllim, disiplinë në veprim dhe besnikëri ndaj interesit kombëtar.

Puna me njerëzit me uniformë më ka mësuar përulësinë duke më treguar se autoriteti nuk buron nga zëri i lartë, por nga përgjegjësia e heshtur. Më ka mësuar vetëpërmbajtjen në raport me bindjet që secili i konsideron si të vërteta absolute. Më ka mësuar kujdesin në raport me të tjerët.

Lufta është gjithmonë tragjedi, por përgatitja është e domosdoshme sepse për të ndalur armët, duhen armë dhe këtu qëndron pesha morale e misionit.

S’ka nder më të madh sesa t’ia dedikosh jetën diçkaje që na tejkalon të gjithëve. Kjo ministri e di shumë mirë çmimin e përgjegjësisë.

Pas çdo uniforme ka një histori, pas çdo angazhimi ka një sakrificë dhe pas çdo plage ka një qenie njerëzore që meriton të dëgjohet. Kam fatin t’ia dorëzoj stafetën një tjetër miku dhe bashkëluftëtari të mirë.

Jam i bindur se me atdhedashurinë dhe vendosmërinë e tij do të shkëlqeni. Institucioni është i fortë, Shqipëria është në duar të sigurta dhe misioni vazhdon. Këtë ministri e lë me shumë respekt, shërbimin ndaj Republikës e vazhdoj me të njëjtin betim. Faleminderit për besimin!”, tha Vengu.