
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar kontributin e tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Në urimin e tij, Kurti i përshkroi mësimdhënësit si “infrastruktura shoqërore mbi të cilën ndërtohet e ardhmja”, duke theksuar rolin e tyre në përcjelljen e dijes, zhvillimin e mendimit kritik, kultivimin e vlerave dhe edukimin e qytetarëve.
Ai kujtoi gjithashtu se arsimi në gjuhën shqipe ka përfaqësuar gjithmonë një akt përkushtimi dhe rezistence, që ka ruajtur dhe zhvilluar gjuhën, kulturën dhe atdhedashurinë ndër breza.
Kryeministri përmendi figurën e mësuesit patriot nga Prekazi, Shaban Jashari, duke lidhur Ditën e Mësuesit me ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së:
“7 Marsi, në ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së, na e kujton edhe figurën e mësuesit patriot nga Prekazi, Shaban Jashari. Ai mishëroi ndërlidhjen mes mësimit për jetë dhe dashurisë për atdhe. Mësuesin Shaban dhe familjen Jashari i kujtojmë dhe i nderojmë përherë si pjesë të pandashme të historisë sonë,” shkroi Kurti.
Në përfundim, kryeministri falënderoi të gjithë mësuesit për punën e palodhur dhe theksoi se investimi i Qeverisë në arsim dhe mbështetja për mësuesit dhe nxënësit mbeten prioritet kryesor.