
Partia Demokratike zhvilloi një tryezë pune me ekspertë dhe pedagogë në kuadër të festës së 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Kryedemokrati, Sali Berisha, uroi të gjithë mësuesit, pedagogët dhe stafin e arsimit parashkollor, duke theksuar rëndësinë vendimtare të misionit të tyre për të ardhmen e kombit.
Ai gjithashtu kritikoi gjendjen aktuale të sistemit arsimor dhe vendimet e qeverisë për të bllokuar disa doktoratura, duke e cilësuar këtë si një akt “anti-kombëtar”.
“Tu përcjellim urimet e përzemërta mësuesve, pedagogëve, mësuesve të sistemit parashkollor, në këtë ditë që mbarë kombi nderon mësuesin si misionar.
Misioni juaj është i një rëndësie përcaktuese më shumë se çdo tjetër për të ardhmen e kombit.
Vijmë sot në këtë ditë në kushtet e një krize të jashtëzakonshme të një sistemit arsimor, të një rrokullisje të sistemit shumë më të madhe se ajo që shohim në urat e rrugët e ndërtuara nga kjo qeveri.
S’mund të ketë akt më anti kombëtar se të bllokosh me urdhër doktoraturat. 46 vite më parë jo doktoraturat e kolegëve të mi, por të studentëve të mi, tezat e studentëve të mi, i kam paraqitur në kongreset më të rëndësishme ndërkombëtare.
Jam i sigurt edhe pedagogë të tjerë. Erdhi një frymë e pa imagjinueshme, shkenco-fobia”, tha ai