
Ndryshimet në qeveri të miratuara në seancën e djeshme plenare në Kuvend do të pasohen sot me ceremoninë e betimit të ministrave të rinj. Ceremonia do të zhvillohet në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave.
Sipas njoftimit të Presidencës, anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, do të kryejnë betimin përpara kreut të shtetit gjatë ceremonisë zyrtare.
“Anëtarët e Këshillit të Ministrave, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, do të kryejnë betimin përpara Presidentit të Republikës në ceremoninë që do të zhvillohet ditën e premte, më 6 mars 2026, ora 10:00”, – bëhet me dije nga Presidenca.
Ndërkohë, seanca plenare e djeshme u shoqërua me tensione, pasi opozita nuk mori pjesë në votim. Deputetët opozitarë u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren e Kuvendit gjatë zhvillimit të seancës.
Pavarësisht kësaj, Kuvendi miratoi të gjitha propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ndryshimet në qeveri janë si më poshtë:
- Albana Koçiu – zv.kryeministre (zëvendëson Belinda Ballukun)
- Ferit Hoxha – ministër i Jashtëm (shkarkohet Elisa Spiropali)
- Besfort Lamallari – ministër i Brendshëm (zëvendëson Albana Koçiun)
- Ermal Nufi – ministër i Mbrojtjes (shkarkohet Pirro Vengu)
- Toni Gogu – ministër i Drejtësisë (zëvendëson Besfort Lamallarin)
- Enea Karakaçi – ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë (shkarkohet Belinda Balluku)
- Erjona Ismaili – ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin (zëvendëson Toni Gogun)
Gjatë votimit në Kuvend, shumica e kandidatëve morën 83 vota pro, ndërsa votat kundër varionin nga 3 deri në 6 deputetë. Vetëm për emërimin e Erjona Ismailit u regjistruan 82 vota pro dhe 4 kundër.