Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali kujton rënien heroike të Jasharëve: Prekazi ndryshoi rrjedhën e historisë


Në 28-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale.

Spiropali shkruan se Prekazi është një nga ngjarjet që ndryshoi rrjedhën e historisë, duke theksuar se në mars të vitit 1998 familja Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, u përball me një makineri të tërë dhune shtetërore dhe zgjodhi të mos dorëzohej.

Sipas saj, sakrifica e familjes Jashari preku ndërgjegjen e botës dhe bëri që çështja e Kosovës të merrte vëmendjen ndërkombëtare që meritonte.

Postimi:

PREKAZ

Ka ngjarje që ndryshojnë rrjedhën e historisë. Prekazi është njëra prej tyre.

Në marsin e vitit 1998, familja Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, u përball me një makineri të tërë dhune shtetërore dhe zgjodhi të mos dorëzohej. Ishte një sakrificë e paimagjinueshme njerëzore, por edhe një akt që e bëri të qartë se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të shtypen me forcë.

Ajo që ndodhi në Prekaz preku ndërgjegjen e botës. Tragjedia dhe heroizmi i kësaj familjeje e bënë të pamundur që drama e Kosovës të mbetej më në heshtje shurdhuese. Qëndrimi në kancelaritë perëndimore filloi të ndryshojë dhe çështja e Kosovës mori vendin që i takonte në vëmendjen ndërkombëtare, duke na kujtuar se sakrifica është themeli i lirisë.

Sot e kujtojmë Prekazin me respekt të thellë. Sepse ajo sakrificë nuk është vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë sonë – është edhe momenti kur qëndresa e një familjeje u bë simbol i një populli të tërë.

Lavdi përjetë Adem Jasharit, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.