Vendosni fjalën kyçe....

SHBA shtyn sërish sanksionet ndaj industrisë serbe të naftës


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtyrë për dy muaj futjen në fuqi të sanksioneve ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS), njoftoi të shtunën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, sanksionet që pritej të hynin në fuqi më 28 prill janë shtyrë deri më 27 qershor.

“Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë. Serbia ka arritur të marrë një shtyrje të re të sanksioneve ndaj NIS-it, kësaj radhe për dy muaj. Faleminderit partnerëve tanë amerikanë për mirëkuptimin e qëndrimit të Serbisë”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Shtetet e Bashkuara e futën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar, për shkak të pronësisë së pjesëshme nga kompania ruse Gazprom Neft, me synimin për të kufizuar të ardhurat që Rusia mund të përdorë në luftën e saj në Ukrainë, sipas REL.

Që prej asaj kohe, Uashingtoni e ka shtyrë tashmë tri herë zbatimin e masave kundër kësaj kompanie.

NIS-i ka njoftuar se ka bërë kërkesë në Departamentin e Thesarit për një licencë të veçantë që do të pezullonte zbatimin e sanksioneve. Edhe Qeveria e Serbisë ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e tyre.

Aktualisht, Gazprom Neft dhe Gazprom zotërojnë 56.15% të aksioneve në NIS, ndërsa shteti serb mban afër një të tretën e aksioneve. Shitja e 51% të aksioneve të NIS-it te Gazprom Neft në vitin 2008 u bë pa tender, për 400 milionë euro.

NIS është kompania kryesore në Serbi për kërkimin, përpunimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror. Ajo operon mbi 400 pika karburanti në Serbi dhe në rajon, si në Bosnjë e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

Rafineria e Pançevës mbetet qendra kryesore e përpunimit të naftës së papërpunuar në vend, nën menaxhimin e NIS-it.