Kremlini tha të enjten se Rusia nuk ka marrë asnjë kërkesë për ndihmë nga Irani, përfshirë mbështetjen ushtarake, transmeton Anadolu.
“Në këtë rast, nuk ka pasur asnjë kërkesë nga pala iraniane“, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për shtyp, kur u pyet nëse Rusia planifikon t’i ofrojë Iranit ndihmë, siç është furnizimi me armë.
Komentet e Peskov vijnë ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Iranit që nga e shtuna, duke vrarë të paktën 926 persona, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që shënjestrojnë Izraelin dhe vendet e Gjirit që janë shtëpi e aseteve ushtarake amerikane.
Rusia i ka quajtur sulmet ndaj Iranit një “akt agresioni të armatosur” dhe një përpjekje për të “përmbysur qeverinë legjitime në Iran”, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të enjten.
Ajo tha se Irani është “provokuar qëllimisht” në sulme hakmarrëse kundër objektivave në disa vende arabe, për të cilat pala ruse “ndjen keqardhje të thellë”.
Duke riafirmuar thirrjen e Moskës drejtuar të gjitha palëve për të ndërprerë menjëherë armiqësitë, deklarata tha se Rusia i konsideron “sulmet ndaj civilëve dhe ndaj çdo objekti civil”, si në Iran ashtu edhe në vendet e Gjirit, si “krejtësisht të papranueshme”.
“Në të njëjtën kohë, është e qartë se e vetmja mënyrë për të parandaluar që rajoni të zhytet më tej në destabilizim është t’i jepet fund agresionit amerikan dhe izraelit, i cili ka shkaktuar një reaksion zinxhir vuajtjesh për arabët”, shtoi ajo.
