
Aksi rrugor Librazhd–Prrenjas, i cili u rihap për qarkullim këtë javë pas ndërhyrjeve intensive në terren, do të jetë i aksesueshëm për të gjitha llojet e automjeteve.
Sipas ARRSH, segmenti i përkohshëm në fazën fillestare është shtruar me çakëll të ngjeshur, për të mundësuar kalimin normal të mjeteve, përfshirë edhe automjetet e tonazhit të rëndë. Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se për rreth 10 ditë rruga do të konsolidohet përmes ngjeshjes natyrale dhe qarkullimit të mjeteve.
Pas kësaj faze stabilizimi, segmenti do t’i nënshtrohet procesit të asfaltimit, duke u kthyer në një aks plotësisht funksional dhe të standardizuar. ARRSH garanton se punimet do të vijojnë me ritme të shpejta, për të siguruar qëndrueshmërinë dhe sigurinë afatgjatë të këtij korridori të rëndësishëm, që lidh Tiranën me juglindjen e vendit.
Rihapja e aksit pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të rikthejë normalitetin për banorët dhe bizneset e zonës, pas ndërprerjes së përkohshme të lëvizjes.