
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është pyetur nga mediat jashtë Parlamentit në lidhje me hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Ai u shpreh se çështja është në përputhje të plotë me afatet ligjore, ndërsa shtoi se rasti do të shqyrtohet në seancën e radhës në Parlament.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me qëndrimin e BE, ai theksoi se të gjitha afatet do të respektohen.
Ai sqaroi gjithashtu edhe nismën e maxhorancës për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Ai tha se përgjysmimi i fjalës së deputetëve, në 5 minuta është më se normale.
“S’ka mohim të së drejtës së fjalës, 5 minuta janë mjaftueshëm!
Ndryshimet janë menduar prej shumë kohësh, të ndara në disa elementë, apo disa qëllime të mira, që kanë të bëjnë me përmirësimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë, qoftë sa i përket mbarëvajtjes dhe kohës efikase të diskutimeve në seancat plenare, që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit, të kontrollit parlamentar, me qëllimin e një përqasje me Parlamente të tjera europiane.
Gjithmonë ka qenë dëshira ime dhe e kolegëve të PS, që t’i përqasim me procedurat e Bundestagut gjerman.
Propozimet merren në mënyrë të njëanshme, por shpresojmë që miratimin ta kemi me konsensus. Ulja bëhet pasi ke një dokument për të diskutuar, shpresoj që ftesës së Peleshit do t’ i përgjigjet edhe pala tjetër për tu ulur”, tha Balla.