
Policia e Dibrës ka arrestuar në Maqellarë shtetasin Klodian Llomi, 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga drejtësia italiane për organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Romës i ka caktuar një dënim të mbetur prej 6 vitesh, 7 muajsh e 2 ditësh burg.
Gjatë operacionit, një punonjës policie u rrëzua nga një mur rrethues dhe pësoi dëmtime trupore, duke u transportuar me helikopter drejt Tiranës për ndihmë mjekësore të specializuar.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.