Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Rrjoll, ndalohet 51-vjeçari i akuzuar për shkatërrim prone dhe plagosje të rëndë



Policia e Velipojës ka ndaluar një 51-vjeçar, i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë ndaluan shtetasin N. M., 51 vjeç, banues në fshatin Pulaj. Ai akuzohet se më 28.02.2026, në fshatin Rrjoll, në bashkëpunim me banorë të tjerë të zonës, ka organizuar një protestë për të penguar punimet e një firme ndërtimi.

Banorët e zonës kanë kundërshtuar projektin, duke pretenduar se banesat e tyre po preken për ndërtimin e një resorti turistik.

Gjatë protestës, sipas policisë, 51-vjeçari dhe persona të tjerë kanë goditur punonjësit e një kompanie private të sigurisë. Njëri prej tyre ka mbetur i dëmtuar rëndë. Po ashtu, janë shkatërruar makineri të firmës që po kryente punimet.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.