Vendosni fjalën kyçe....

Berisha komenton sulmin e Vilës 31: Vetëm mendja e sëmurë e Ramës mund ta bënte atë qendër kulturore



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat pas daljes nga ambientet e SPAK, u pyet për sulmin me molotov ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë protestës së së shtunës të organizuar nga opozita.

Berisha tha se gjatë protestës janë përdorur mjete piroteknike, ndërsa theksoi se askush nuk ishte në dijeni që brenda objektit ndodheshin persona. Ai kërkoi ndjesë për ngjarjen.

“Po janë përdorur mjete piroteknike që ju i quani bomba molotov, por askush nuk është plagosur prej tyre. Ishin dy zonja. Nuk duhej të ndodhte kurrë, kurrsesi. Unë e mora vesh pasi pyeta. Më thanë se ishte bërë qendër kulturore. Ajo mund të ishte muze e torturave çnjerëzore. Por qendër kulture vila e Enver Hoxhës është fyerje për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht, për 40 mijë të internuar dhe 140 mijë të persekutuar. Vetëm mendja e sëmurë e Ramës mund ta bënte atë qendër kulturore”, u shpreh ai.

Më herët, Berisha deklaroi se nuk do ta përdorte deklaratën para SPAK për të komentuar çështje të tjera politike.

“Nuk do ta keqpërdor këtë tribunë këtu për të dhënë përgjigje. Këtu jap përgjigje për Altin Troplinin dhe Irenën me pesë mbiemra. Të tjerat ju garantoj se do t’i përgjigjem në seli. Këtu do ta ruaj këtë profil, pasi kjo që ndodh është e pakonceptueshme”, tha Berisha.