
Dy shtetase vietnameze janë arrestuar nga Policia e Tiranës, të dyshuara për ushtrim prostitucioni në një apartament me qira në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i koduar “Ilegal chat” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të operacioneve të bazuara në punën informative për evidentimin e ambienteve të vëna në dispozicion të kësaj veprimtarie.
Në pranga ranë shtetaset Th. A., 51 vjeçe dhe Th. P., 33 vjeçe. Ato dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në rrugën “Naim Frashëri”.
Nga verifikimet ka rezultuar se komunikimet me klientët kryheshin përmes rrjeteve sociale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.