Vendosni fjalën kyçe....

Kardinali kapet me celular gjatë konklavës sekrete për zgjedhjen e Papës Leo


Konklava sekrete që zgjodhi Papa Leon në krye të Kishës Katolike majin e kaluar u ndërpre kur një nga 133 kardinalët pjesëmarrës u kap me një celular, duke shënuar një shkelje masive të sigurisë, siç zbuloi një libër i publikuar të dielën.

Ndërsa klerikët po përgatiteshin për votimin e parë brenda Kapelës Sistine të Vatikanit, e cila ishte pajisur me pajisje bllokuese për të parandaluar komunikimet e jashtme, zyrtarët e sigurisë pikasën sinjalin e një lidhjeje aktive celulare.

Sipas librit “Zgjedhja e Papa Leos XIV”, shkruar nga dy korrespondentë veteranë të Vatikanit, kardinalët e tjerë e vështruan njëri-tjetrin me mosbesim derisa një nga klerikët më të moshuar zbuloi se kishte një telefon në xhep dhe e dorëzoi atë.

Libri nuk e bën të ditur emrin e kardinalit dhe as nuk sugjeron se ai kishte ndonjë motiv për mbajtjen e telefonit, duke e përshkruar momentin si diçka që e la atë të “çorientuar dhe të shqetësuar”.

Autorët Gerard O’Connell dhe Elisabetta Pique e cilësuan skenën si të paimagjinueshme edhe për një film dhe të paparë kurrë në historinë e konklavave moderne. O’Connell i tha Reuters se zbulimi i paprecedentë i vitit të kaluar ishte në mënyrën e vet më tronditës se çdo gjë e portretizuar në filmin hit të vitit 2024, “Conclave”, duke vërtetuar se realiteti është shpesh më i habitshëm se fiksioni.

Klerikët që marrin pjesë në një konklavë bëjnë betimin për të mos komunikuar me botën e jashtme dhe dorëzojnë telefonat e tyre bashkë me çdo pajisje tjetër komunikimi për kohëzgjatjen e procedurave, të cilat mund të zgjasin me ditë. Zyra e shtypit e Vatikanit nuk iu përgjigj kërkesës për koment rreth librit të ri, i cili ofron detaje prapaskene mbi një nga zgjedhjet më sekrete në botë.

Kardinalët u takuan në një konklavë dyditore nga 7 deri më 8 maj, nën një vëmendje të lartë globale, për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë në prill pas 12 viteve në krye të Kishës me 1.4 miliardë anëtarë. Edhe pse kishte shumë spekulime se kardinalët mund të zgjidhnin një papë të ri nga Azia ose Afrika, duke qenë se kjo ishte konklava më e larmishme gjeografikisht në histori me klerikë nga 70 vende, asnjë kandidat nga ato rajone nuk mori mbështetje të madhe sipas të dhënave të votimit që libri i zbulon për herë të parë. Ndonëse zbulimi i detajeve të votimit pa lejen e papës është rreptësisht i ndaluar, gazetarët shpesh arrijnë të nxjerrin informacione nga klerikët në vitet që vijojnë.

Dy kandidatë u shfaqen menjëherë si favoritë brenda konklavës: kardinali italian Pietro Parolin, një zyrtar i hershëm i Vatikanit, dhe kardinali amerikan Robert Prevost, një figurë kryesisht e panjohur jashtë rretheve të Kishës, i cili më vonë do të bëhej Papa Leo, pontifi i parë nga SHBA.

Që në votimin e parë të mbrëmjes së 7 majit, Prevost mori midis 20 dhe 30 votave, një numër i pazakontë ky për fillimin, sipas librit. Ndërkohë, kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, i parë gjithashtu si favorit, nuk mori kurrë më shumë se 10 vota. Në balotazhin e katërt pasditen e 8 majit, Prevost fitoi me 108 vota, ndërsa libri tregon edhe detajin njerëzor ku Tagle, i ulur pranë tij, i ofroi papës së ardhshëm një karamele për të zbutur fytin ndërsa po numëroheshin votat finale, shkruan Reuters.