
Dhjetëra mijëra grekë u mblodhën në Athinë dhe qytete të tjera të shtunën për të shënuar përvjetorin e përplasjes së trenit të vitit 2023, fatkeqësia më vdekjeprurëse hekurudhore në historinë e vendit, duke kërkuar drejtësi përpara një gjyqi penal që pritet të fillojë muajin e ardhshëm.
Trenat dhe tragetet ndaluan lëvizjen dhe transporti urban u ndërpre pasi punëtorët lanë punën për t’u bashkuar me demonstratat, ku protestuesit vendosën lule dhe mbanin pankarta me mbishkrimin “Drejtësi” përpara parlamentit, aty ku emrat e 57 viktimave – shumica e të cilëve studentë – janë shkruar me bojë të kuqe spray në tokë.
Viktimat humbën jetën kur një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën kokë më kokë në Tempi, në Greqinë qendrore, një fatkeqësi që është kthyer në një simbol të fuqishëm të dështimeve shtetërore, duke përfshirë mangësitë në siguri dhe vitet e neglizhencës ndaj rrjetit hekurudhor.
E ushqyer nga mosbesimi ndaj politikanëve, të cilët janë gjerësisht të mbrojtur nga ndjekja penale sipas ligjit grek, vala e protestave masive të vitit të kaluar ishte më e madhja në vite, duke bërë që mijëra oficerë policie të vendoseshin në Athinë këtë të shtunë, ndërsa demonstrata u mbajtën edhe jashtë vendit.
Pavlos Aslanidis, kreu i shoqatës së të afërmve të viktimave, u shpreh gjatë një fjalimi se ata kërkojnë vetëm një gjë: Drejtësi. Një hetim gjyqësor përfundoi këtë vit dhe dhjetëra persona që nuk janë politikanë do të dalin në gjyq më 23 mars, me akuza që variojnë nga ndërprerja e trafikut me pasojë vdekjen, deri te vrasja nga pakujdesia dhe shkaktimi i lëndimeve trupore.
Protestuesit kërkojnë reforma dhe llogaridhënie politike, ndërsa një pankartë në Athinë shkruante se ky nuk ishte një aksident, por një vrasje. Hetimet kanë zbuluar se një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian për instalimin e sistemeve të sigurisë ishte lançuar që në vitin 2014, por ishte vite pas afatit në momentin e tragjedisë në 2023-shin, ndërkohë që të afërmit kanë akuzuar autoritetet edhe për përpjekje për fshehjen e provave.
Qeveria e qendrës së djathtë, e cila mohon çdo parregullsi, pohon se drejtësia do të hedhë dritë mbi çështjen dhe është zotuar për një reformë të plotë hekurudhore deri në vitin 2027, shkruan Reuters.