
Pas hedhjes së molotovëve në ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha, kryeministri Edi Rama vizitoi të dielën rezidencën e artistëve, të cilët tha se i gjeti të traumatizuar nga protestat e së shtunës.
Ai kritikoi ashpër gjyqtarët, të cilët sipas tij, duke mos ndëshkuar por duke liruar militantët e dhunshëm, bëhen bashkëpërgjegjës për aktet vandale.
“Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia, janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë, me bekimin e një partie parlamentare, ku në seli nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se gjyqësori nuk mund të vështrojë aktet e dhunës të dirigjuara nga Sali Berisha, ndërsa ndau detaje nga takimi me artistët në krah të drejtoreshës ekzekutive të Fondacionit Art Explora:
“Edhe ata që hedhin ato bomba artizanale janë totalisht të manipuluar. Kush i simpatizon këto akte humb të ardhmen, humb mundësinë për të zhvilluar biznesin e tyre, për të pasur turistë apo për të rritur fëmijët në një Shqipëri të hapur. Këto kërcitje çojnë vetëm vendin në të shkuarën dhe nuk kanë të bëjnë me të ardhmen.”
Rama shtoi se këto akte nuk burojnë nga padia, por nga dëshira për të nxirë Shqipërinë ndërkombëtarisht:
“Nuk është padija, është marrëzia, është ligësia, është verbëria, është urrejtja – një turp i pashoq që nxin Shqipërinë dhe na prek të gjithëve, edhe pse ata që e bënë janë vetëm një grusht njerëzish.”