Vendosni fjalën kyçe....

Bolivia në garë me kohën për të asgjësuar miliona dollarë nga avioni i rrëzuar


Autoritetet në Bolivi po veprojnë me urgjencë për të eliminuar një sasi të konsiderueshme parash që përfunduan të shpërndara mbi qytet pas një aksidenti ajror fatal.

Bëhet fjalë për kartëmonedha me vlerë potenciale prej miliona dollarësh në monedhën vendase, të cilat u përhapën në ajër kur një avion transporti ushtarak, i ngarkuar me para të reja për bankën qendrore, u rrëzua pranë Aeroporti Ndërkombëtar El Alto të premten pasdite. Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 22 persona humbën jetën dhe 37 të tjerë u plagosën; shumica e viktimave ndodheshin në automjete pranë aeroportit dhe u goditën nga avioni në momentin e përplasjes.

Rrëzimi shkaktoi jo vetëm pasoja njerëzore, por edhe një shpërndarje masive kartëmonedhash mbi zonën e dendur urbane të El Alto. Qytetarë të shumtë u drejtuan menjëherë drejt vendit të aksidentit për të mbledhur sa më shumë para, ndërkohë që ekipet e emergjencës kërkonin të mbijetuar dhe autoritetet përpiqeshin të digjnin kartëmonedhat për të shmangur futjen e tyre në qarkullim.

Zona u vendos nën masa të rrepta sigurie nga policia dhe ushtria, megjithëse deri në orët e para të së shtunës raportohej se individë të ndryshëm vijonin të kërkonin para në terren.

Zëvendësministri i Brendshëm, Hernan Paredes, deklaroi për mediat vendase se në kulmin e situatës rreth 20,000 persona po përpiqeshin të siguronin kartëmonedha. Ai theksoi se mes tyre kishte edhe grupe vandalësh dhe njoftoi arrestimin e 49 personave. Ngjarja ndodh në një moment të ndjeshëm ekonomik për vendin, i cili konsiderohet ndër më të varfrit në Amerikën Latine dhe po përballet me inflacion të lartë. Pas një kulmi prej afro 25% vitin e kaluar, norma e inflacionit ka rënë nën 20% muajt e fundit, ndërsa presidenti centrist Rodrigo Paz përpiqet të stabilizojë financat publike.

Kartëmonedhat e transportuara kishin prerje nga 10 deri në 50 bolivianos, që në tregun e zi të këmbimit valutor – ai më i përdoruri nga qytetarët – korrespondojnë me rreth 1 deri në 5 dollarë amerikanë përkatësisht. Paga minimale mujore në vend është 3,300 bolivianos. Edhe pse autoritetet nuk kanë bërë publike shumën e saktë të transportuar, pamjet televizive sugjerojnë se avioni ishte i ngarkuar me sasi të mëdha parash, shkruan Bloomberg.

Banka qendrore njoftoi anulimin e vlefshmërisë së kartëmonedhave të përfshira në aksident, të identifikueshme përmes një serie specifike. Autoriteti mbikëqyrës financiar, Autoridad de Supervisión del Sistema Financiero, paralajmëroi qytetarët të mos tentojnë t’i përdorin ato. Megjithatë, ndërsa bankat mund të verifikojnë serinë përkatëse, shitësit e vegjël rrallë kryejnë kontrolle të tilla, sidomos duke qenë se kartëmonedhat janë autentike. Ekonomia boliviane mbetet kryesisht e orientuar drejt transaksioneve në para fizike, çka e bën situatën edhe më komplekse.

Autoritetet pranuan se një pjesë e kartëmonedhave të së njëjtës seri ishte tashmë në qarkullim para aksidentit, duke e bërë të vështirë dallimin mes atyre të shpërndara në mënyrë të ligjshme dhe atyre të përvetësuara pas rrëzimit. Qeveria u ka kërkuar mbajtësve të ligjshëm të paraqiten në banka për t’i zëvendësuar me kartëmonedha të një serie tjetër.

Sipas deklaratës së ASFI, kartëmonedhat e lidhura me aksidentin janë identifikuar plotësisht dhe çdo përpjekje për t’i futur ato në sistemin bankar do të çojë në ndalimin e personave përgjegjës.