Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 20 viktima pasi një avion ushtarak me kartëmonedha rrëzohet në Bolivi


Të paktën 20 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një avion transporti i Forcave Ajrore të Bolivisë u rrëzua në qytetin perëndimor El Alto, njoftuan autoritetet vendase.

 Aksidenti ndodhi rreth orës 18:15 me orën lokale (22:15 GMT) të premten, teksa avioni po afrohej për ulje në aeroportin ndërkombëtar të El Altos, pas një fluturimi nga Santa Cruz, përcjell BBC.

Sipas zyrtarëve të aviacionit, avioni rrëshqiti jashtë pistës dhe u përplas me automjete pranë aeroportit. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi më vonë se bëhej fjalë për një avion transporti C-130 Hercules të Forcave Ajrore, i cili po transportonte kartëmonedha drejt Bankës Qendrore të Bolivisë.

Komandanti i Forcave Ajrore, Sergio Lora, deklaroi se në bord ndodheshin tetë persona, përfshirë ekuipazhin e fluturimit dhe personelin e ngarkesës. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 31 persona janë plagosur dhe lëshoi një apel urgjent për dhurim gjaku.

Pamjet nga vendngjarja treguan avionin të dëmtuar rëndë dhe automjete të shkatërruara përreth. Kartëmonedha boliviane u panë të shpërndara në zonën e përplasjes.

Fillimisht, zjarrfikësit raportuan për të paktën 15 viktima, por bilanci u rrit më pas në 20. Aeroporti Ndërkombëtar i El Altos u mbyll përkohësisht pas aksidentit.

 

Trazira dhe përplasje me policinë

Pas rrëzimit, forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turma personash që dyshohet se po përpiqeshin të merrnin kartëmonedhat e shpërndara.

Video të publikuara në rrjete sociale tregojnë njerëz duke vrapuar për t’u larguar nga gazi lotsjellës, ndërsa policët, disa me mburoja, formonin kordon sigurie. Në disa pamje shihen persona që hedhin gurë.

Shoqata Kombëtare e Gazetarëve të Bolivisë deklaroi se disa individë që tentonin të vidhnin paratë e transportuara sulmuan gazetarët me “dhunë të pazakontë”.

Sipas saj, një njësi televizive e lëvizshme u vu drejtpërdrejt në shënjestër, ndërsa gazetarë të tjerë u goditën me gurë dhe pësuan lëndime serioze gjatë raportimit.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Bolivi raportoi se të paktën 12 persona u arrestuan për vjedhje të kartëmonedhave.

Ministri i Mbrojtjes, Marcelo Salinas, theksoi se paratë e transportuara “nuk kanë vlerë ligjore, pasi nuk janë hedhur ende në qarkullim nga Banka Qendrore dhe nuk kanë numër serie”, duke paralajmëruar se përdorimi apo përvetësimi i tyre përbën vepër penale.

“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga aktet e vandalizmit dhe të respektojnë zinë dhe dhimbjen që po përjetojmë në këtë moment të vështirë,” deklaroi ai.

 

Dëshmi nga vendngjarja dhe hetimet

Një dëshmitar i tha agjencisë Reuters se moti në momentin e aksidentit ishte i rënduar, me breshër të fortë dhe rrufe. Një grua, makina e së cilës u godit nga pjesë të avionit, deklaroi për AFP se “po binte breshër i dendur dhe kishte vetëtima” kur avioni u rrëzua.

Një burrë tha se motra e tij ndodhej në makinë kur një gomë e avionit ra mbi automjet, duke e goditur në kokë nga përplasja.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa operacionet e emergjencës dhe pastrimit vijojnë në zonën e tragjedisë.