Vendosni fjalën kyçe....

Albana Koçiu reagon për hedhjen e molotovëve: PD është kthyer në repart zjarrëvënësish


Teksa protesta e opozitës në Tiranë vijonte drejt selisë së Partisë Socialiste dhe institucioneve të tjera, ministrja e Brendshme në detyrë, Albana Koçiu, reagoi ashpër ndaj veprimeve të disa protestuesve.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se hedhja e molotovëve drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë për përshkallëzim.

Ajo e akuzoi liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ka kthyer PD-në në një “repart zjarrvënësish”.

 “Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë. Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.” shkruan Koçiu .

Ministrja shtoi se ky veprim nuk dëmton dot as reformat, as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm pasojat e një opozite të humbur mes kaosit dhe dhunës.

Reagimi i saj vjen në një moment kur protestuesit po marshojnë drejt selisë së PS dhe institucioneve të policisë, ndërsa njësitë speciale Shqiponjat dhe FNSH janë në gatishmëri për të parandaluar përplasje.