
Mbi 19 mijë qytetarë kanë firmosur deri tash peticionin e nisur nga organizatat e dala nga lufta për katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, njofton OVL e UÇK-së.
Peticioni kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara kërkon që vendimi për ish-krerët Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të bazohet vetëm në prova dhe fakte të administruara gjatë gjykimit.
“Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta.
Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”, thuhet në peticion.
Po ashtu, peticioni kërkon trajtim dinjitoz dhe njerëzor për të akuzuarit.
“Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet në peticion, shkruan RTK.