
Ka nisur takimi i zgjeruar i Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, ku këtë herë është qeveria ajo që po raporton përpara deputetëve për çështje të posaçme sektoriale.
Në fjalën hapëse, kryeministri Edi Rama theksoi se synon të ndajë opinionin e tij mbi situatën komplekse në të cilën ndodhet vendi, duke përmendur zhvillimet ekonomike, procesin e integrimit europian dhe ecurinë e reformës në drejtësi.
Rama u shpreh se, pas “një fitoreje historike”, hapjes së kapitujve të negociatave në kohë rekord dhe progresit në reformën në drejtësi, Shqipëria ndodhet në një “udhëkryq të ri”.
“Unë besoj që duhet të shohim bashkë se jemi në një udhëkryq të ri. Ndërkohë që ekonomia vijon të ecë me ritmet e parashikuara (…) udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet disa rreziqe që kërkojnë një adresim të vendosur dhe disiplinë nga ana jonë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se vendi rrezikon të “mbetet në vend numëro” nëse humbet kohë në procesin e ngjitjes drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se rruga europiane mbetet prioriteti kryesor.
Ai shtoi se aktualisht po sprovohet aftësia udhëheqëse e mazhorancës, ndërsa çdo hap në negociata shoqërohet me sfida gjithnjë e më komplekse që kërkojnë përgatitje dhe forcë më të madhe institucionale.
“Sot, më 26 shkurt, ne jemi më afër anëtarësimit nga sa ishim më 26 janar. Ky është fakt, sepse e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim falë volumit të madh të punës që po bëjmë bashkë”, u shpreh Rama.
Takimi i grupit parlamentar pritet të vijojë me raportimet e ministrave për sektorët përkatës dhe diskutime mbi prioritetet e mandatit aktual.