Vendosni fjalën kyçe....

FBI shkarkon agjentët që hetuan Trump-in për dokumentet e klasifikuara


Byroja Federale e Hetimit, Federal Bureau of Investigation, ka shkarkuar një tjetër grup agjentësh që kishin punuar në hetimin ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, sipas burimeve të cituara nga Associated Press.

Shkarkimet janë pjesë e një vale më të gjerë largimesh nga puna nën drejtimin e drejtorit të FBI-së, Kash Patel, i emëruar nga Trump.

Gjatë vitit të fundit, nën drejtimin e tij, dhjetëra punonjës janë larguar, përfshirë persona që kishin kontribuar në hetimet ndaj presidentit ose që konsideroheshin si jo në përputhje me axhendën e administratës.

Sipas burimeve të AP-së, të paktën 10 punonjës janë pushuar nga detyra në këtë raund të fundit. Mes tyre përfshihen agjentë që kishin marrë pjesë në hetimin për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, në Florida.

Çështja përfshinte një kontroll të profilit të lartë nga FBI dhe çoi në ngritjen e akuzave federale ndaj Trump për mbajtje të dokumenteve tepër sekrete nga mandati i tij i parë dhe për pengim të përpjekjeve të qeverisë për rikthimin e tyre.

Megjithatë, si në këtë rast ashtu edhe në hetimin e veçantë për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ndjekja penale u braktis nga këshilltari i posaçëm Jack Smith, pasi Trump fitoi zgjedhjet e nëntorit 2024.

Sipas praktikës së gjatë të Departamentit të Drejtësisë, një president në detyrë nuk mund të ndiqet penalisht.

FBI Agents Association dënoi shkarkimet, duke i cilësuar ato të paligjshme dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare.

Në një deklaratë, shoqata u shpreh se “këto veprime dobësojnë Byronë duke zhveshur ekspertizën kritike dhe duke destabilizuar forcën e punës, duke minuar besimin në drejtim dhe duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të përmbushur objektivat e rekrutimit – duke e ekspozuar përfundimisht vendin ndaj rreziqeve më të mëdha”.

Shkarkimet u bënë publike në të njëjtën ditë kur Patel deklaroi për Reuters se gjatë administratës së mëparshme, FBI kishte sekuestruar të dhënat telefonike të tij dhe të shefes aktuale të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, në vitet 2022–2023, kur ata ishin qytetarë privatë.

Patel ishte thirrur në vitin 2022 për të dëshmuar para një jurie të madhe federale në Uashington lidhur me hetimin për Mar-a-Lago dhe kishte dëshmuar pasi iu ishte dhënë imunitet.

Zhvillimet e fundit thellojnë debatet në SHBA mbi pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe balancën mes ekzekutivit dhe agjencive ligjzbatuese.