Presidenti dhe CEO i World Economic Forum, Børge Brende, ka njoftuar dorëheqjen e tij, disa javë pasi forumi nisi një hetim të pavarur lidhur me marrëdhënien e tij me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Brende, i cili drejtonte forumin që prej vitit 2017, e bëri publik vendimin përmes një deklarate, pas publikimeve të U.S.
Department of Justice që treguan se ai kishte zhvilluar tre darka pune me Epstein dhe kishte komunikuar me të përmes email-eve dhe mesazheve.
“Pas një reflektimi të kujdesshëm, kam vendosur të tërhiqem nga detyra si President dhe CEO i Forumit Ekonomik Botëror. Koha ime këtu, që zgjati tetë vjet e gjysmë, ka qenë jashtëzakonisht shpërblyese”, thuhet në deklaratën e Brende, ku nuk përmendet drejtpërdrejt Epstein, përcjell Reuters.
Ai shtoi se beson se ky është momenti i duhur që forumi të vijojë punën e tij pa shpërqendrime.
Brende, ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë, ka deklaruar më herët se nuk kishte dijeni për të kaluarën kriminale të Epstein kur u takua me të për herë të parë në vitin 2018 dhe se i vjen keq që nuk kishte bërë verifikime më të thelluara.
Dorëheqja e tij vjen pas një sërë zbulimesh që lidhen me Epstein, i cili në vitin 2008 u dënua për nxitje prostitucioni me një të mitur dhe që në vitin 2019 u gjet i vdekur në qeli, në atë që u raportua si vetëvrasje, ndërsa priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual.
Në një deklaratë të veçantë, bashkëkryetarët e forumit me seli në Gjenevë, Andre Hoffmann dhe Larry Fink, njoftuan se rishikimi i pavarur i kryer nga këshilltarë të jashtëm mbi lidhjet e Brende me Epstein kishte përfunduar dhe se nuk ishin konstatuar shqetësime të tjera përtej atyre që ishin bërë tashmë publike.
Ata bënë të ditur se Alois Zwinggi do të shërbejë si president dhe CEO i përkohshëm, ndërsa Bordi i Administratorëve do të mbikëqyrë procesin e tranzicionit dhe përzgjedhjen e një pasuesi të përhershëm.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar mbi tre milionë faqe dokumente që lidhen me çështjen Epstein.
Lidhjet e tij me një sërë figurash të njohura nga bota e biznesit dhe politikës, përfshirë Presidentin e SHBA-së Donald Trump, ish-presidentin Bill Clinton dhe drejtuesin e Tesla-s Elon Musk, janë vënë nën shqyrtim të imtësishëm.
Jashtë SHBA-së, zbulimet kanë nxitur hetime penale edhe ndaj Andrew Mountbatten-Windsor, ish-Duka i Jorkut, si dhe figura të tjera të njohura.
