
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku tregon gjendjen e disa rrugëve të dëmtuara në Njësinë nr. 5 në Tiranë.
Ai evidenton gropat në segmentet pas shkollës “Vasil Shanto” deri pranë selisë së KESH, duke theksuar se në disa zona janë kryer punime nga ujësjellësi, por rrugët nuk janë asfaltuar pas përfundimit të tyre.
Reagimi:
“Është akoma edhe më shumë e dërrmuar, këtu poshtë makinave po e po. Besoj se ujësjellësi ka bërë riparimet dhe normalisht duhet të vijnë të bëjnë asfaltin. Kjo është rrënuar pa fund, duhet bërë nga e para. Nuk besoj se ka rrugë tjetër si puna e kësaj në lagjet e njësisë 5.
E njëjta gjë, edhe këtu, rruga tjetër, paralele me atë që iu tregova, ujësjellësi ka bërë defektin dhe ka ngelur kështu. Ndërkohë që vitet kanë bërë të tyren këtu. Vazhdon deri në fund, kështu është, e dërrmuar.
Të gjitha rrugët e lagjes pas shkollës “Vasil Shanto” e deri te selia e KESH-it, janë kështu. Të dërrmuara me thënë të drejtën, duhet të ketë 15 ose 16 vite, a mos më tepër kur janë bërë. Është natyrisht problem shumë i madh për banorët e kësaj lagjeje, janë disa rrugë vertikale dhe horizontale që janë dëmtuar dhe janë në këtë derexhe. Vështirësojnë hyrjen, daljen lirshëm në lagje. Çfarë t’iu them unë?”, shprehet Braçe.