Vendosni fjalën kyçe....

“Prekazi nuk na kërkon lot, na kërkon të jemi të denjë” – Spiropali nderon familjen Jashari në Kosovë



Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kosovë me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Spiropali u shoqërua nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca. Ata përkulën para monumentit ku sakrifica e familjes Jashari u kthye në simbol të themelimit të shtetit të Kosovës.

Ministrja Shqiptare dhe Konjufca vizituan gjithashtu Kullën e Jasharajve, ku u pritën nga Bacë Rifat Jashari. Spiropali vuri në dukje se kjo kullë është dëshmi se liria ka pasur një çmim, të paguar me jetë, dhe nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë dhe dinjitetit për të ardhmen.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkroi:

“Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon që të jemi të denjë.”

Vizita e ministrës është pjesë e përpjekjeve për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe përkujton sakrificën historike që shënoi themelimin e shtetit të Kosovës.