
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Senatin e Francës, ku u prit nga Presidenti i Senatit, Gérard Larcher.
Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës.
Delegacioni shqiptar u prit në Lozhën e Nderit të Senatit, një gjest simbolik që dëshmoi marrëdhëniet e mira institucionale mes dy vendeve.
Peleshi e cilësoi Francën si një partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, Larcher rikonfirmoi mbështetjen e Francës për Shqipërinë dhe vlerësoi progresin e saj drejt BE-së, duke e cilësuar këtë fazë si “sprintin e fundit” drejt anëtarësimit.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të forcuar besimin e opinionit publik evropian në procesin e zgjerimit dhe vlerësoi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.